Banka Qendrore Evropiane (ECB) ka konfirmuar se do të mbajë të pa ndryshuara normat e interesit të politikës monetare në takimin e saj të prillit të mbajtur të enjten, në përputhje me pritjet e tregut. Normat për operacionet kryesore të rifinancimit, kreditë marxhinale dhe depozitat do të qëndrojnë të stabilizuara përkatësisht në 4.5%, 4.75% dhe 4%, sipas njoftimit të bankës.
Nga korriku 2022 deri në shtator 2023, ECB rriti gradualisht normën e interesit nga 0% në 4.5% dhe që atëherë e ka mbajtur atë të qëndrueshme. Sipas ECB, inflacioni ka shënuar rënie, kryesisht si pasojë e uljes së inflacionit të çmimeve të ushqimeve dhe mallrave. Gjithashtu, inflacioni bazë po shfaq shenja lehtësimi, rritja e pagave po zbutet dhe kompanitë po përpiqen të absorbojnë disa nga kostot e rritura të punës në marzhet e tyre të fitimit.
“Kushtet e financimit mbeten të kufizuara dhe rritjet e mëparshme të normave të interesit vazhdojnë të krijojnë barrë mbi kërkesën, duke ndihmuar në uljen e inflacionit. Megjithatë, presionet e brendshme të çmimeve mbeten të forta dhe po mbajnë të lartë inflacionin në sektorin e shërbimeve,” shpjegon ECB.
ECB vlerëson se normat aktuale të interesit po japin një kontribut të rëndësishëm në procesin e dezinflacionit që vazhdon të zhvillohet.