Bashkimi Demokratik për Integrim ka ngritur alarmin lidhur me gjendjen aktuale në pikat kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ku kolonat e gjata kanë krijuar vështirësi serioze për qytetarët.
Sipas BDI-së, këto pengesa po ndikojnë negativisht në qarkullimin e lirë të shqiptarëve ndërmjet dy vendeve dhe duket se janë pjesë e një strategjie të fshehtë për të dobësuar lidhjet e forta që ekzistojnë mes tyre. Ata i bëjnë thirrje institucioneve për të ndërmarrë hapa urgjentë për zgjidhjen e kësaj situate.
Deklarata e BDI-së:
A ka një arsye të qëllimshme pas pritjeve të gjata në kufi që po pengojnë qytetarët të kalojnë lirshëm?
Pritjet e tejzgjatura dhe pengesat në pikat kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët shqiptarë. Për shumë prej tyre, të vizitosh Kosovën për një takim familjar apo një udhëtim të zakonshëm po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Distanca e shkurtër midis Shkupit dhe Prishtinës, dy kryeqytete që ndodhen më pak se një orë larg, tani po duket si një rrugë e pakalueshme për shkak të kësaj situate të krijuar. Kjo situatë nuk është e rastësishme, por duket të jetë një përpjekje për të ngadalësuar afrimin dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
BDI nënvizon se këto vonesa janë një mënyrë për të zbatuar politika që synojnë të dobësojnë marrëdhëniet ekonomike, sociale dhe kulturore midis dy vendeve. Po ashtu, ata theksojnë se disa parti të vogla po mbështesin në heshtje këto praktika, duke dëmtuar interesat e shqiptarëve.
BDI u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të reagojnë ndaj këtyre pengesave. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme dhe një nevojë e domosdoshme për të gjithë shqiptarët në rajon.
Apeli i BDI-së është i qartë: Është koha që të ndalet çdo përpjekje për të penguar afrimin dhe bashkëpunimin mes shqiptarëve! nga ( Alsat-M )