Përfaqësuesit e dy partive kryesore spanjolle, Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) dhe Partia Popullore (PP), kanë deklaruar se do të votojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Europës, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve spanjolle “Europa Press”. Të pesë anëtarët e PSOE-së dhe tre anëtarët e PP-së kanë planifikuar të refuzojnë këtë pranim, duke pasur parasysh që Spanja ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e shpallur në vitin 2008.
Burime nga PSOE kanë thënë për agjencinë spanjolle se “do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të kemi të njëjtat qëndrime” në lidhje me çështjen e Kosovës, duke theksuar se tani nuk është momenti për anëtarësimin e saj.
PP ka qëndruar konsistente me qëndrimin që ka mbrojtur që nga 2008, duke përfshirë periudhën e qeverisjes së Mariano Rajoy, që mbështeste mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. “Nuk është precedent i mirë që ky territor të bëhet anëtar i plotë i Këshillit të Europës”, kanë thënë burime të PP-së për mediat spanjolle, duke konfirmuar se do të votojnë kundër.
Në debatin e planifikuar për të martën në Asamblenë Parlamentare, pritet të vendoset nëse do të rekomandohet Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës që të marrë një vendim për anëtarësimin e Kosovës përpara takimit të tij që do të mbahet në mes të majit në Rejkjavík.
Vitin e kaluar, ky institucion kishte kërkuar nga APKE-ja të merrte një vendim lidhur me kërkesën e paraqitur nga Kosova më 12 maj për anëtarësim. Sipas “Europa Press”, pavarësisht refuzimit nga tetë përfaqësuesit e PSOE dhe PP, të cilët janë pjesë e 12 deputetëve spanjollë në PACE, pritet që kërkesa të kalojë pa probleme falë shumicës që përbëhet nga shtetet që e njohin Kosovën.
Burime diplomatike kanë bërë të ditur për “Europa Press” se qeveria spanjolle mbetet e vendosur në qëndrimin e saj për mosnjohjen e Kosovës, duke shtuar se ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, do të votojë kundër kur të vijë koha.
Megjithëse 12 nga 46 anëtarët e PACE-së nuk e njohin Kosovën, jo të gjithë votuan kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim vitin e kaluar. Spanja, bashkë me Serbia, Azerbajxhanin, Qipron, Gjeorgjinë dhe Rumaninë, votuan kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia, Ukraina, Moldavia dhe Bosnja abstenuan. Armenia nuk ishte pjesë e votimit, ndërsa Hungaria, e cila e njeh Kosovën, vot