Uashington, 9 korrik – Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë një vizite në Uashington, theksoi se në Ballkan shpeshherë shfaqet nacionalizmi në mënyrë të papritur, duke marrë si shembull Maqedoninë e Veriut. Gjatë një debati publik me ish-ambasadorin e SHBA-së në Greqi, Daniel Speckhard, Mitsotakis theksoi se Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje ndërkombëtare që angazhon vendin fqinj.
“Maqedonia e Veriut është sot anëtare e NATO-s sepse Greqia hoqi veton pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës nga qeveria e mëparshme. Kemi bërë të qartë se kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që obligon vendin. Ne e respektojmë këtë dhe unë e respektoj. Një nga aspektet kyçe të marrëveshjes ishte që emri Maqedonia e Veriut të përdoret kudo, brenda dhe jashtë vendit.
Për Greqinë, kjo është një çështje shumë e qartë dhe e panegociueshme.
Kur dëgjoj që qeveria e re e vendit e quan atë Republika e Maqedonisë, kam shqetësime serioze. Kjo është një temë që kam ndërmend të trajtoj. Nuk është konstruktive dhe nuk ndihmon në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut,” theksoi kryeministri grek.